Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” i ka kushtuar një artikull largimit të barrikadave nga pjesa veriore e Kosovës dhe dialogut Kosovë-Serbi në bazë të propozimit franko-gjerman.
Autori i artikullit, Andreas Ernst, njohës i politikave të Ballkanit, shkruan se Serbia “fitoi raundin e parë” në betejën e barrikadave, por se Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç “nuk duhet të gëzohet shumë”.
Ernst theksoi se “Perëndimi e detyroi Kosovën të takohet me pakicën serbe”, prandaj edhe “presioni ndaj Beogradit për të njohur Kosovën do të rritet edhe më shumë”.
“Realisht, rezultati i raundit të fundit të krizës mund të shihet si një sukses për Beogradin, siç e sheh edhe Vuçiç. Por, letrat e Serbisë janë më të këqija se ato të Kosovës”.
“Ka një propozim në tryezë që kërkon nga Serbia të paktën një njohje de facto të shtetësisë së Kosovës”, kujton Ernst.
Ernst ka komentuar edhe deklaratën e KFOR-it se nëse Forca e Sigurisë së Kosovës dëshiron të dislokohet në veri së pari duhet të marrë pëlqimin e komandantit të KFOR-it.
“Deri më tani është diskutuar nëse ekziston një rregull i tillë. Ajo relativizon sovranitetin e Prishtinës mbi një pjesë të territorit të saj”, shkruan Ernst.
Ai e përshkruan më tej edhe përpjekjen e kryeministrit Albin Kurti për ta shtrirë sovranitetin në të gjithë territorin e Kosovës.
“Qasja politike e Kurtit ndaj serbëve të Kosovës është që t’i trajtojë ata si të gjithë qytetarët e tjerë, me të njëjtat të drejta dhe detyrime. Tani ajo qasje legaliste i ka dështuar”.
“Dhe jo sepse ai sillet në mënyrë diskriminuese, siç pretendojnë shumë serbë të Kosovës. Pikërisht e kundërta. Ai injoron përvojat krejtësisht të ndryshme që ndërtojnë identitetin e shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës”, shtoi Ernst.
Prandaj, Ernst theksoi se BE-ja dhe SHBA-ja do të ushtrojnë presion edhe ndaj Kosovës për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.