Rrjetet sociale, si një trend global tanimë janë bërë ndër platformat kryesore të përfitimit monetar në forma të ndryshme.
Me qëllim të përfitimit, edhe shumë figura publike në Kosovë, kryesisht të botës së artit, përfshirë aktorë e këngëtarë, kanë nisur me të madhe shfrytëzimin e rrjeteve sociale.
E më së shumti, veprimtaria e tyre është shtrirë në rrjetin social, “TikTok”, pa lënë anash as “Facebook”-un e “Youtube”-n.
Sidoqoftë, ashtu si në profesionin e tyre primar, edhe në rrjete sociale që nga ky vit, këta persona kanë filluar të paguajnë tatime për përfitimet që ata kanë në rrjete sociale.
Gjatë këtij viti, Administrata Tatimore e Kosovës kishte renovuar licensën për veglën analitike, MKCVI, e cila mundëson grumbullimin dhe analizimin e rrjeteve sociale, që rrjedhimisht çon në detaje për përfitimet e përdoruesve aktivë.
Gjithë kjo procedurë, është bërë në bashkëpunim me Njësinë e Intelegjencës Financiare të Republikës së Kosovës.
Gjatë vitit 2022, Administrata Tatimore e Kosovës, ka identifikuar qarkullim shtesë prej 812 mijë e 370 eurosh nga rrjetet sociale.
Siç bën të ditur për Telegrafin zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi Sefa, tatim shtesë për këtë kategori është vendosur shuma prej 212 mijë e 950 eurosh.
Ajo thekson gjithashtu se përgjatë 2022-tës, për mosdeklarim të fitimeve apo ikje të tatimit nga përfitimet në rrjete sociale, janë shqiptuar gjoba që në total kapin shifrën e 31 mijë e 973 eurosh.
E modalitetet e monetizimit të atyre që në TikTok njihen si “gifts” apo në shqip dhurata, për Telegrafin i kishte shpjeguar eksperti i njohur i rrjeteve sociale, Valon Kerolli.
Ai kishte thënë se artistët në Kosovë, përfitojnë në dy mënyra nga “TikTok”-u; Duke bërë marrëveshje personale me biznese për reklamim, si dhe në dhuratat/gifts që marrin nga audienca.
“Në TikTok, dhuratat konvertohen përmes monedhave digjitale (coins) dhe vlera e tyre në para sillet prej 0 e deri në 500 dollarë (35000 coins) që është vlera e dhuratës më të shtrenjtë që njihet me emrin TikTok Universe. Ata që i marrin këto dhurata mund t’i konvertojnë në para, ku 50% të vlerës i merr TikTok e 50% të mbetura i merr artisti”, deklaroi Kerolli për Telegrafin.
Duke qenë monitorues i rregullt i rrjeteve sociale, Kerolli shtonte se këngëtarët shqiptarë nga videot live, në të cilat ata futen çdo natë, përfitojnë mesatarisht një mijë euro në ditë, pa llogaritur përqindjen që merr TikToku.
Në lidhje me inkasimin e tatimeve nga përfituesit e rrjeteve sociale, kishte folur edhe drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj.
Ky i fundit kishte thënë se softuerët që aktualisht Institucioni që drejton ai ka, janë pjesë e mbështetjes nga Britania e Madhe.
“Argument tjetër është pjesa e zhvillimit të përfitimit të mbështetjes nga ana e Mbretërisë së Bashkuar me softuerë të veçanta, softuerë këto që na kanë kriju mundësinë që të shfrytëzojmë burim të informatave nga burimet e ndryshme, për shembull është njëri prej softuerë është pjesa e burimit të informatës e cila shfrytëzohet nga rrjetet sociale siç janë facebook, instagram, tik-tok etj, ku këto informata janë duke u përpunuar nga këto softuera. Zyrtarë tonë të inteligjencës financiare dhe përmes rezultateve të këtyre informatave dërgohen në operativ te inspektorët e operativës dhe bëhen vlerësimet tatimore aty ku konstatohet që ka shmangie tatimore apo qarkullim të pa deklaruar”, theksonte Murtezaj.