BE-ja ka një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe të mirë me NATO-n, gjë që është dëshmuar edhe në veri të Kosovës, theksoi sot zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.
Stano, në konferencën për media, i pyetur për nënshkrimin e deklaratës së përbashkët BE-NATO, ka theksuar bashkëpunimin e EULEX-it me KFOR-in në veri të Kosovës gjatë tensioneve të fundit, për shkak të barrikadave.
“Nuk është sekret se në kontekstin aktual strategjik, bashkëpunimi i BE-së me NATO-n është më i rëndësishëm dhe më aktual se kurrë më parë. Kjo është parë edhe në praktikë. Rasti i fundit ka qenë në veri të Kosovës para Vitit të Ri, kur BE-ja dhe NATO është koordinuar ngushtë në terren”, shpjegoi ai.
Stano ka theksuar se ka bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë edhe në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës
“Është e rëndësishme që ne të nënshkruajmë një deklaratë të përbashkët dhe presim që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.