Edita Tahiri ka komentuar ftesën qe u ka bërë kryeministri Albin Kurti, partive opozitare në vend. Tahiri ka thënë se ftesa e Kurtit për bashkëpunim me opozitën për çështjen e dialogut është për t’u përshëndetur, teksa shtoi se Kurti nuk ka bashkëpunuar sa ishte në opozitë për këtë çështje, raporton Gazeta Enigma.
“Stuhite politike sprovojne politikanet. Ftesa e Kryeministrit Kurti per bashkepunim me opoziten rreth dialogut eshte per t’u pershendetur, pavaresisht se vet nuk ka bashkepunuar kur ishte ne opozite!”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.
Ndërkohë kryeministri i vendit, Albin Kurti, u ka dërguar dje ftesa tre liderëve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, sot u ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvend: z. Enver Hoxhaj (PDK), z. Lumir Abdixhiku (LDK), dhe z. Ramush Haradinaj (AAK)”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Kryeministrisë.
“Takimet planifikohet të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Qeveria nuk ka njoftuar se cilat janë temat e diskutimit, por ka thënë se për çështjet me interes nacional do të konsultohet me partitë opozitare.
“Kryeministri Kurti ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë”, thuhet në fund të njoftimit. / Gazeta Enigma/