Naim Ferati, avokati i ushtarit të FSK-së, Azem Kurtaj, ka treguar se si ka ndodhur ngjarja në Shtërpcë, ku klienti i tij dyshohet se plagosi dy serbë të premten që lamë pas.
Pas përfundimit të seancës, Ferati tha se klienti i tij me një mik ishin duke shkuar në Brezovicë dhe rrugës u bllokuan nga një turmë njerëzisht dhe u sulmuan nga ta.
“Të premten pasdite i mbrojturi im së bashku me mikun e tij ishin duke udhëtuar për në Brezovicë dhe papritmas në një vend të caktuar, ata bllokohen nga një turmë e njerëzve, të cilët po festonin dhe në befasi sulmohen me mjete”, tha Ferati.
Me qëllim të largimit të rrezikut, Ferati thotë, se Kurtaj ka gjuajtur një herë në ajër dhe një herë në drejt asfaltit.
Avokati i tij thotë se Kurtaj nuk e ka ditur se janë lënduar dy persona, gjë të cilën e ka kuptuar pasi ka arritur në Prevallë.
“Në bazë të rrezikut, i njëjti ka provuar të largohet por ka qenë i bllokuar nga turma dhe në vetëmbrojtje me qëllim të spostimit apo të largimit të rrezikut, ka shkrepur një herë me armën e tij që e kishte në posedim, armën e tij personale. Ka shkrepur një herë njëherë në ajër, që të largohet masa. Për shkak të rrethanave dhe të sulmit që ka pësuar në ato momente, i njëjti është detyruar që të shkrepë edhe njëherë në drejtim të tokës, këtë rast drejt asfaltit dhe në ato momente ka arritur të largohet nga vendi, pa pasur informata se dikush mund të jetë i lënduar. Ai ka shkuar në Prevallë, dhe nga rrjetet sociale ka kuptuar se dikush mund të jetë lënduar”, ka deklaruar ai.
“Nga kjo kuptohet qartë se i mbrojturi im nuk ka pasur asnjë qëllim që të qëllonte apo lëndonte ndonjë qytetar, por e gjithë ngjarja ishte zhvilluar në vetëmbrojtje. Ky vlerësim i mbrojtjes vërtetohet edhe nga vetë nëna e 11-vjeçarit të lënduar, znj. Zorica Stojanoviq, që në deklarimin e paraqitur për mediat në gjuhën serbe, tha se ‘nuk ka qëlluar në drejtim të tyre, por në asfalt’’, ka thënë Ferati.