Gazeta Enigma sot ka raportuar për një rast të rëndë që u zbulua sot në malin Polevica mbi fshatin Zhur të Prizrenit, ku një burrë u gjet i varur në një lis.
Sipas burimeve të Gazetës Enigma brenda Policisë së Kosovës personi që u gjet sot i varur dyshohet se është Behamir (Ruzhdi) Gavazaj që ishte shpallur i zhdukur që nga muaji shtator i vitit 2022.
Trupi i të ndjerit ishte dekompozuar, ku koka u gjet e shkëputur nga trupi dhe fillimisht s’dihej se për kë bëhej fjalë. Megjithatë posa njësitë përkatëse kanë arritur në vendin e ngjarjes, ka nisur verifikimi i rasteve të personave që janë raportuar të zhdukur dhe shenjat e para çojnë se viktima është 49-vjeçari Gavazaj.
Kujtojmë se më 19 shtator Policia e Kosovës kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për informacione që do të ndihmonin në gjetjen e tij.
Rastin për Gazetën Enigma e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, i cili tha se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML.
“Një dëshmitar sot rreth ores 12:00 ka raportuar në nënstacionin Zhur se në malin që njihet “Polevica’ mbi fshatin Zhur, në afersi te magjistrales Zhur-Dragash, ka hasur në një person të varur me litar për një lis. Rastit ju kane përgjigj patrullat policore te Stacionit Policor Prizren së bashku me hetuesit kujdestare dhe aty shihet personi, duket mashkull, trupi i dekompozuar. Dëshmitari e ka has rreth orës 10:30 dhe është vonuar për shkak të terrenit malor derisa ka arrit në nënstacionin Zhur”, tha Bytyqi.