Një ngritje e vrullshme e çmimeve ka goditur Kosovën me të hyrë në vitin 2023, shkruan Gazeta Enigma.
Që nga 3 janari qytetarët kosovarë janë duke u përballur me ngritje enorme të çmimeve të produkteve bazike, sidomos ato me përmbajtje qumështi.
Por, pavarësisht kësaj eksperti i fushës së ekonomisë shprehen optimist, se zbritja e çmimeve do të ndodh së shpejti.
Kështu të paktën është deklaruar për “Enigmën” ekonomisti Safet Gërxhaliu i cili thotë se që nga fillimi i prillit të këtij viti pritet që të ketë trende të rënies së inflacionit, e poashtu edhe rënie të çmimeve.
“Besoj që duhet të kemi optimizëm për vitin 2023 sepse janë disa indikator që dhurojnë optimizëm, që do të ketë lëvizje pozitive në rend të parë, pas ngritjes së çmimit të importit të naftës ruse në Evropë është një frymarrje më e lehtë, në rend të dytë kushtet klimatike dhe nxehtësia që e ka kapluar Evropën i ka shtuar rezervat e gazit që nuk janë shfrytëzuar dhe ky është një produkt strategjik që ka ndikuar në standardin e evropianë”, tha ekonomisti Gërxhaliu.
“E treta është kostoja e shpenzimeve të transportit, derisa në vitin e kaluar për një kontinjer nga Azia, është paguar afro 20 mijë dollar, sot paguhen vetëm 3 mijë dollar, dhe në këtë drejtim besoj që nga marsi apo fillimit i prillit të vitit 2023 do të kemi ramje apo trende ramjesh edhe të inflacionit, por besoj që edhe çmimeve”, tha ai.
Gërxhaliu beson se pranvera e vitit 2023 do të jetë fillimi i një rimëkëmbje ekonomike.
“Por e vërteta është që psikologjia e tregtisë së jashtme na mëson që çmimet rriten me shpejtësi, mirëpo shumë ma ngadalë kthehen në stadin fillestar. Por definitivisht pranvera e vitit 2023, përkundër asaj që ekspert e parashohin që do të ketë një recesion në Evropë, besoj që do të jetë fillimi i një rimëkëmbje ekonomike”, tha Gërxhaliu.
Mes tjerash, Gërxhaliu potencoi se garanci për stabilitet ekonomik në Kosovë duhet të jetë edhe stabiliteti politik, duke e quajtur të domosdoshëm.
Madje, ekonomisti tha se inflacionin nuk e shkakton qeveria, po sipas tij duhet të gjenden masa për të ulur normën e inflacionit dhe të çmimeve në Kosovë.
“Duhet të kuptohet që inflacioni nuk e shkakton qeveria, por duhet të gjej masa për të ulur normën e inflacionit në Kosovë dhe të çmimeve. Në këtë drejtim Kosova po hyn me krizë në këtë vit dhe besoj se në qoftë se pranohet ky realitet do të jetë më e lehtë për ta luftuar inflacionin, e vërteta është që do të ketë sfida të shumta, mirëpo garanci e stabilitetit ekonomik në Kosovë duhet të jetë stabiliteti politik sepse pa një stabilitet politik do të jetë shumë e vështirë të ketë prognoza pozitive”, tha ai.
Ndërsa, edhe gurvenatori i Bankës Qëndrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti tha se do të ketë ulje të inflacionit deri në 6 përqind, gjë që sipas tij do të ketë edhe rënie të çmimeve.
“Pritjet tona janë që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 të kemi ulje të inflacionit deri në 6 për qind dhe kjo në masë të madhe do ta ndikojë aftësinë paguese të qytetarëve, që më pastaj do të ndikojë në rritjen e konsumit si komponent kryesor i rritjes ekonomike në vend”, ka deklaruar Mehmeti për medie.
“Por, nëse vazhdon kështu si ka nisur në tre ditët e para ngritja anarkike, pa asnjë logjikë të tregut e çmimeve, që nga tani shtrohet dilema e madhe se si do të ketë ulje të inflacionit në këtë vit”, ka shtuar ai.
“Nuk ka asnjë mundësi që të bëhet ulja e inflacionit duke u ngritur çmimet e shumë produkteve të përditëshme dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejtë te rënia e ndjeshme e gjendjes sociale të shumicës së kosovarëve të varfër”, tha ai.
“Por, edhe në këto ditët e para të 2023-tës, kur u pa dhe u prek lëvizja e madhe e çmimeve në tregun kosovar, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, praktikisht u treguan të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme për çmime të rritura, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore e as morale”, theksoi Mehmtaj.
“Me fjalë të tjera, po del të jenë vetëm fjalë, sado që të shkruara, e zeza në të bardhë, masat e qeverisë të bëra publike tash e sa kohë dhe shumë herë për frenimin e shpërthimit egërsisht të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore”, përfundoi ai.
Cilat çmimet u rritën?
Çmimet e produkteve të qumështit, djathit, jogurtit dhe kosit janë rritur për 10 cent. Ndërsa, çmimi i vezëve ka pësuar ngritje të theksuar të çmimit, derisa çmimi i këtij produkti është ngritur nga 4 euro në 5 e 15 cent.
Mirëpo, sipas statistikave të ASK-së, nga 31 dhjetori i vitit 2022 deri më 2 janar të vitit 2022, çmimet kanë shënuar ngritje edhe te një numër produktesh të tjera.
Më saktësisht, sipas ASK-së, janë shtrenjtuar kafja e bluar, çaji, detergjenti për rroba e shamponi për flokë. Çaji është shtrenjtuar për 67 centë.
Shtrenjtimi i produkteve ka vazhduar edhe më 3 janar.
Sipas të dhënave të ASK-së, në këtë ditë janë shtrenjtuar mishi i gjedhit, mishi i bardhë, jogurti, ajka, vezët, patatet, sheqeri, çaji, kripa e kuzhinës, uji natyral pa gaz, detergjenti për rroba e shamponi për flokë.
Përveç që ka pasur ngritje, ASK përmes statistikave ka treguar edhe për produktet që janë liruar.
Produktet që janë liruar janë orizi, makaronat, mielli, qumështi, djathi, gjiza, vaji, fasulja, të cilat janë liruar prej 1 deri në 4 centë.
Ndryshe, rritja ekonomike karakterizoi vitin 2022, derisa në vitin 2023 qytetarët presin ndryshim që shportat e tyre të mos varfërohen.