Sfida e dyfishtë e pacientëve me kancer, detyrohen të blejnë vet barnat

Sfida e dyfishtë e pacientëve me kancer, detyrohen të blejnë vet barnat

Mungesa e barnave esenciale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), po rrezikon xhepin e pacientëve, shkruan Gazeta Enigma.

Ata përveç hallit që kanë me sëmundjen, po përballen edhe me blerjen e të gjitha barnave.

QKUK po vazhdon të ballafaqohet me mungesën e disa barnave nga listat esenciale, si dhe të materialit shpenzues, të cilët tashmë një kohë mungojnë në këtë institucion.

Bekim Haxhiu, Anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, nga PDK-ja

Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar me anëtarin e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiun, i cili ka theksuar se mungesa e barnave esenciale në QKUK është si pasoj e keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-së.

“Mungesa e barnave është pasojë e korrupsionit, keqperdorimeve dhe keqmenaxhimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK-së”, tha ai.

Bekim Haxhiu: 1.3 milion euro të barnave shkuan në suficit, ndërsa pacientët me kancer detyrohen të hyjnë në borxhe, për të siguruar ilaçet

Sipas tij furnizimi me barna në vitin që lam pas ka qenë më i dobëti në 10 vitet e fundit. Nga mungesa e barnave po përfiton sektori privat.

“Korrupsioni dhe keqmenaxhimi në këtë sektor është problemi më i madh, sipas auditorit ne 61 raste ne vlerë 7.8 milion euro mungon raporti i pranimit të mallit dhe shumë keqperdorime të tjera”, ka deklaruar Haxhiu për Enigmën.

“Furnizimi me barna ne vitin 2022 ka qenë më i dobti në 10 vitet e fundit. Sa herë ka mungesë të barnave ne sektorin publik, përfiton sektori privat kjo është publikisht e njohur”, ka përfunduar ai.

Shemsedin Dreshaj, Anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, nga AAK-ja

Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe me Shemsedin Dreshaj anëtar i këtij komisioni nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i cili ka deklaruar se ky problem vazhdon të jetë prezent për shkak se shëndetësia nuk ka qenë prioritet për këtë Qeveri as në menaxhim dhe as në investim.

“Problemi qëndron se shëndetësia për këtë qeverisje nuk është prioritet as në menaxhim as në investim. Për këtë arsye janë problemet lidhur me mungesën e barnave nga lista esenciale, lidhur me listën e gjatë të pritjes për ekzaminime diamnostike dhe tash kohëve të fundit veq edhe paraqitja e rasteve të reja skandaloze”, tha ai.

Dreshaj ka theksuar se kjo Qeveri përveç skandaleve me ministrin Latifi dhe ministrin Vitia nuk interesohet aspak për shëndetin e qytetarëve.

“Ju e dini fort mirë që skandalet në shëndetësi si me ministrin Latifi si me ministrin Vitia vazhdojnë që të ekzistojnë, e cila nuk është pasoj nga mos aktiviteti i dikujt, por është pasoj e asaj që shëndetësia nuk është prioritet qeverisës as në investim as në menaxhim e më së paku kjo qeveri interesohet për shëndetin e qytetarëve”, tha Dreshaj për Enigmën.

“Qeveria duhet të hartoj një strategji të mirëfillt menaxhimi në shëndetësi për organizimin e shëndetësisë, ta ketë prioritet shëndetësinë dhe pastoaj do t’i shohim rezultatet, mendoj që kjo nuk ka ndodhur deri më sot në shëndetësi”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se furnizimi me ilaçe i klinikave në QKUK bëhet nga barnatorja qendrore e këtij institucioni.

Operatori për furnizim zgjidhet nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles