Sport Club “Gjilani” sot ka nisur përgatitjet për sezonin pranveror në Superligën e Kosovës në futboll.
Gjilanasit në muajt e fundit janë përballur me probleme të shumta financiare dhe ishte rrezikuar edhe pjesëmarrja në vazhdim të kampionatit, raporton Gazeta Enigma.
Për fillimin e përgatitjeve ka folur edhe Albert Dabiqaj.
14-shi i Gjilanit ka thënë se kanë bërë një sakrificë për ekipin dhe se lojtarët janë kthyer me motivim të plotë për të vazhduar garën.
“Kemi bërë një sakrificë për SC Gjilanin. Klubin tashmë besoj që e presin ditë të mira. Ne jemi të fokusuar vetëm te fusha e gjelbër. Situata ka qenë e vështirë për çdo futbollist. Sa jemi kanë afër largimit, kemi qenë edhe afër qëndrimit në klub. Pres angazhim të madh nga të gjithë lojtarët pasi që jemi kthyer me motivim të madh”, tha mesfushori i Gjilanit.
SC Gjilan në sezonin vjeshtor është pozicionuar në vendin e katërt me 27 pikë të mbledhura, aq sa ka edhe Prishtina e cila zë vendin e tretë.
/Gazeta Enigma/