172 ankesa për ndërrimin e flamujve të produkteve, që nga fillimi i fushatës “Besa – besë”

172 ankesa për ndërrimin e flamujve të produkteve, që nga fillimi i fushatës “Besa – besë”

Inicimi i fushatës “Besa besë”, kundër blerjes së produkteve serbe ka marr hovë në Kosovë, teksa çdo ditë e më shumë po rritet ndërgjegjësimi i qytetarëve për t’i raportuar shkeljet që bizneset vendore po bëjnë me qëllim që ti shesin këto produkte,  shkruan Gazeta Enigma.

Por sa po respektojnë bizneset Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit? 

Kryeinspektorja e Tregut në MINT, Lebibe Haliti

Gazeta Enigma në lidhje me këtë çështje ka kontaktuar me kryeinspektoren e Tregut në MINT, Lebibe Haliti e cila ka theksuar se pjesa më e madhe e biznese po e respektojnë Ligjin e Konsumatorit, por ka edhe përjashtime.

“Inspektorati i Tregut realizon inspektime me qëllim të monitorimit të zbatimit të ligjeve në fuqi, ndër to edhe për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Në bazë të vlerësimit dhe gjetjeve mund të konsiderojmë që në pjesë të madhe  ligji respektohet nga ana e bizneseve , por ka edhe raste kur konstatohet shkelje/mos respektim të ligjit dhe në çdo rast inspektorati i tregut ndërmerr masa ndëshkuese”, ka deklaruar Haliti.

Tutje ajo ka treguar se sa ankesa janë pranuar nga Inspektorati muajve të fundit.

“Gjatë vitit 2022 kemi pranuar mbi 1,200 ankesa nga konsumatorët dhe shumica e ankesave janë lidhur me shkeljen e të drejtave të Konsumatorit”, tha kryeinspektorja e Tregut në MINT për Enigmën.

Ajo pohon se së fundmi është ngritur edhe vetëdija e konsumatorëve që po i raportojnë këto shkelje.

“Vlerësojmë që ka ngritje të vetëdijes së konsumatorëve dhe këtë e vlerësojmë me numrin e ankesave të adresuara për inspektoratin e tregut, shumica e konsumatorëve ( që parashtrojnë ankesa) i dinë të drejtat e tyre,  mënyra se si e identifikojnë shkeljen, kompletimi i ankesës me kupon fiskal, foto dëshmi, fletëgarancion etj”, ka theksuar ajo.

Vetëm prej kohës kur ka filluar fushata kundër blerjes së produkteve që janë të prodhuara në Serbi e deri më tani janë pranuar 172 ankesa të konsumatorëve.

Siç thekson ajo, vetëm nga data 01 janar deri më 11 janar janë pranuar 55 ankesa gjithsej.

Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj

Ndërkohë iniciuesi i fushatës “Besa – besë”, Burim Piraj, në një përgjigje për Gazetën Enigma tha se krenaria kombëtare s’duhet t’i lejoj kosovarët të blejnë produkte serbe.

“Po synojmë që ti vetëdisojmë qytetarët dhe ta rikthejmë krenarinë kombëtare, që ajo mos ta lejon kosovarin të blej prodhime serbe por edhe shqiptarin që është në gjitha trojet shqiptare dhe diasporë”, kështu ka deklaruar iniciuesi i fushatë “Besa – Besë”, ka deklaruar Piraj.

Tutje ai ka shtuar se “Serbët neve po na konsiderojnë si rob dhe ne nuk duhet lejuar që dikush të na trajtoj si rob, dhe ne të bëhemi rob e të blejmë produkte të tyre, por nëse nuk ka zëvendësim të tyre të mos blejmë fare”.

Pronari i kompanisë “Meka” ka theksuar se braktisja e blerjes së produkteve serbe është opsioni më i mirë i zgjedhur për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Ashtu që të ndehen mirë, rehat e krenar për vendin e tyre dhe ardhmërinë e fëmijëve të tyre, braktisja e blerjes së produkteve serbe është opsioni më i mirë i zgjedhur”, ka përfunduar ai.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë

Kujtojmë se kjo iniciativë ka nisur më 12 dhjetor të vitit 2022 nga Dhoma e Tregtisë, e cila ka bërë thirrje që të bojkotohen produktet e Serbisë.

“Mënyra më e mirë dhe më paqësore me i dal zot vendit, është duke blerë produkte vendore dhe duke mos blerë asgjë të prodhuar në Serbi, pasi që ky shtet në vazhdimësi është duke e penguar qarkullimin e mallrave tona përmes Serbisë. Reciprociteti i Kosovës është më shumë se i nevojshëm” thuhet në komunikatën e tyre.

Tutje ata kanë njoftuar se “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) ripërseritë kërkesën ndaj bizneseve që bëjnë tregti me Serbinë që ta ndërprejnë menjëherë bashkëpunimin duke marrë parasysh pretendimet e vazhdueshme dhe në rritje territoriale që Serbia në përkrahje të Rusisë i ka ndaj Republikës së Kosovës, duke vazhduar ta mbajë në Kushtetutën e Serbisë territorin e Republikës së Kosovës”.

DHTIK ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rrisë angazhimin që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të të përshpejtojnë procedurat për futjen e Kosovës në BE dhe NATO

“Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk i ka vendosur Rusisë sanksione, duke e konsideruar aleatin kryesor të saj. DHTIK mbështetë iniciativat nga Evropa dhe SHBA dhe kërkon nga Qeveria e Kosovës që të rrisë angazhimin që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të të përshpejtojnë procedurat për futjen e Kosovës në BE dhe NATO, si një garanci për rritjen e sigurisë në Ballkan dhe Evropë dhe shuarjen e pretendimeve të Serbisë dhe Rusisë për ndarjen e Kosovës dhe Bosnjës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë bojkoti i këtyre produkteve është minimumi që mund të bëjmë.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), që nga themelimi është në përpjekje të vazhdueshme të mbështetjes së bizneseve, sidomos atyre prodhuese në mënyrë që t’i zëvendësoj produktet e Serbisë me ato vendore”.

“Dhjetëra mijëra shqiptarë e sakrifikuan gjakun për Kosovën. Bojkoti i këtyre produkteve është minimumi që mund të bëjmë”, thuhet në komunikatën e DHTIK.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles