Kurti në Vjenë: Në kamionin ngrirës, të fundosur në lumin e Serbisë, ishte edhe një 7-vjeçare nga Kosova (VIDEO)

Kurti në Vjenë: Në kamionin ngrirës, të fundosur në lumin e Serbisë, ishte edhe një 7-vjeçare nga Kosova (VIDEO)

Gjatë fjalimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në Austri, gjegjësisht në Akademinë Diplomatike të Vjenës, u përmendën fakte rrëqethëse nga krimet e bëra të Serbisë në Kosovë.

Nga foltorja e tij atje, Kurti kujtoi se si në Serbi, në lumin Danub afër fshatit Tekija, një peshkatar e kishte vërejtur një objekt që notonte mbi ujë dhe zbuloi se ishte një copë kamioni. Më pas e ka thirr një zhytës dhe në fund të lumit ata kanë gjetur një kamion ngrirës të thertores.

“Ndërsa nxjerrin kamionin nga uji, këmbë të njerëzve fillojnë të bien nga pjesa e pasme e kamionit. Hapin dyert dhe brenda gjejnë 86 trupa, dhe tre koka. Mes tyre është edhe trupi i një vajze të vogël vetëm 7-vjeçare. Ndërsa kontrollonin gjërat e saj, ata gjejnë çantën e saj të shkollës. Brenda çantës është një fletore e UNICEF-it, lapsa me ngjyra dhe një kukull e vogël. Në fletore kishte vizatime të shtëpive dhe luleve”, tregon Kurti.

Ai tutje shtoi duke thënë se vogëlushja u vra në Kosovë, u fut në kamionin ngrirës të thertores dhe u fundos në fund të lumit, dhe se pasi e gjetën, së bashku me trupat e tjerë e ngarkuan në një kamion tjetër dhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku i dërguan ata trupa.

“Ne nuk e dimë emrin e vajzës, si dukej ajo dhe kush janë prindërit e saj. Ajo është në mesin e 1617 personave të zhdukur me forcë”.

“Ndërsa ne e dimë se ajo nuk do të kthehet më te shtëpia dhe te lulet që ka pikturuar, nuk do t’i shohim kurrë me të, ne do ta tregojmë gjithmonë historinë e saj dhe nuk do të ndalemi kurrë derisa të dihet fati i saj. Dhe ne do ta kujtojmë gjithmonë atë dhe 1133 fëmijët që u vranë nga Serbia gjatë viteve 1998-99″, deklaroi mes tjerash kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij.

Related Articles