Kryeministri Albin Kurti ka dhënë një intervistë për “Der Bund”, ku ka folur për ikjen e të rinjve nga Kosova drejt vendeve të Evropës.
Sipas tij, njerëzit me arsim tashmë marrin një vizë pune dhe shtoi se Gjermania është tërheqëse dhe e uritur për punëtorë.
“Kushdo që donte të shkonte e ka shfrytëzuar shansin e tij prej kohësh. Disa kthehen dhe më pas investojnë këtu. Por është e rëndësishme që vizitat familjare të bëhen më të lehta dhe njerëzit të mund të zbulojnë Evropën Perëndimore pa pasur nevojë të shpenzojnë shumë para për një vizë”, tha shefi i qeverisë.
Kurti u shpreh se Kosova ka shumë avokatë dhe shkencëtarë politikë që duan të bëhen diplomatë, por ‘ku ti çojmë ata?’.
Megjithatë, ai tha se Kosovës i mungojnë muratorët, frizerët apo kuzhinierët.
“Është problem i madh. Kemi shumë avokatë dhe shkencëtarë politike që duan të bëhen diplomatë. Por, kemi vetëm 30 ambasada. Ku duhet t’i dërgojmë këta diplomatë? Çfarë na mungon neve është, përshembull, kuzhinierë, muratorë apo frizerë. Për këtë arsye ne po punojmë për një sistem edukimi si në Zvicër apo Gjermani”, shtoi ai.