Policia e Kosovës tha se në Bistricë të Leposaviqit ka shtënë me armë zjarri drejt një veture, pasi ajo nuk është ndalur për kontroll. Ndërkaq, sipas të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe nga ky incident ka mbetur i plagosur një serb.
Drejtori i ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq deklaroi se i plagosuri M.D. është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës. Sipas tij, njësitë policore të Kosovës “kanë qëlluar” automjetin me serbë “vetëm sepse [ata] nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë bazë dhe arsye”.
Sipas Petkoviqit, i plagosuri “është qëlluar në pjesën e majtë të kraharorit dhe ka plagë me armë zjarri”.
Petkoviq, tha se në veturën, që po qarkullonte në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, përveç M.D, ishte edhe D.S, i komunitetit serb, i cili nuk ka pësuar lëndime.
Petkoviq përsëriti se njësitë speciale të Policisë së Kosovës “nuk kanë çfarë kërkojnë në veri të Kosovës”.
Nga Lista Serbe, kanë thënë se “sulmi brutal” ka shkaktuar zemërim dhe indinjatë te qytetarët, “të cilët gjithnjë e më shumë ndihen se duhet të mbrohen nga veprimet kriminale të forcave speciale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit dhe regjimit të tij diktatorial antiserb”.
Kjo parti kërkoi që nga veriu i Kosovës të ketë “tërheqje të menjëhershme të gjitha forcave speciale të Kurtit” dhe përgjegjësit për ngjarjen e sotme të dalin para drejtësisë.
“Edhe një herë theksojmë se prania e vazhdueshme e këtyre formacioneve mund të na çojë në një spirale ngjarjesh që do të kërcënojnë në mënyrë të pakthyeshme paqen në këto zona”.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën një veturë ka goditur patrullën e tyre, ku këta të fundit e kanë tentuar ta ndalojnë për kontroll për kontrabandë në veri të vendit.
Sipas njoftimit, vetura që ishte në lëvizje ka goditur automjetin e policisë duke rrezikuar jetën e zyrtarëve në vendin e ngjarjes.
“Më 23 janar në Bistricë të Leposaviqit, një njësi policore ka qenë e caktuar me detyrë zyrtare në pikë kontrolli, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës”, thuhet një njoftimin e Policisë së Kosovës./