Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rustemi, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka të njëjtin qëndrim në lidhje me Asociacionin, pra është kundër formimit të bashkësisë së komunave në veri me shumicë serbe.
Në një intervistë për Euronews Albania, Rustemi u shpreh se Kurti nuk ka mbajtur një pozicion individual, por ka shprehur argumente politike dhe juridike.
Sipas tij, Asociacioni do t’i dobësonte komunat me shumicë serbe.
“Zoti Kurti e ka qëndrimin e njëjtë, sikurse ka argumente dhe shpjegime të njëjta, si kur ishte në opozitë, edhe sot si kryeministër. Nuk është një pozicion individual, por janë argumentet politike dhe juridike që e vërtetojnë që rendi kushtetues dhe kushtetuta e Kosovës, nuk e përmban, nuk e duron një Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe me përbërje një etnike.
Kosova është shoqëri multietnike. Është e dukshme që një Asociacion i mundshëm do t’i dobësonte edhe vetë komunat e Kosovës me shumicë serbe”, theksoi deputeti Rustemi ndër të tjera.