Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri ka reaguar pas deklaratës së presidentit kroat, Zoran Millanoviq, i cili në një koment ka tërhequr një lloj paralele mes Krimesë së aneksuar nga Rusia dhe Kosovës që sipas tij është “marrë” nga Serbia.
E pas kësaj deklarate të presidentit kroat kanë ardhur edhe reagimet e para.
“Deklarata proruse e presidentit kroat Milanoviq nuk mund ta cenoj partneritetin strategjik Kosovë-Kroaci”, shkruan Tahiri në Facebook.
Ndërkaq, deputetja shqiptare në Parlamentin kroat, Ermina Lekaj-Prljaskaj, i është drejtuar Zyrës së Presidentit në Kroaci, Zoran Millanoviq, me kërkesën që i njëjti të distancohet nga deklarata e tij për Kosovën dhe të kërkojë falje publike.
Lekaj-Prljaskaj në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com, tha se Millanoviq duhet të kërkojë falje dhe se është në pritje që ai ta bëjë një gjë të tillë edhe pse duke njohur karakterin e tij vështirë se ai do ta bëjë këtë publikisht.
Në këtë intervistë me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, deputetja shqiptare theksoi se nuk është hera e parë që presidenti kroat bën të tilla deklarata kontroverse në publik.
Për deklaratën e presidentit kroat kanë reaguar edhe Unioni i Shqiptarëve në Kroaci.
Ata shprehen shumë të habitur në lidhje me deklaratat e presidentit Millanoviq.
“Duke ditur historinë tonë të përbashkët, të cilën e kaloi Republika e Kroacisë në fillim të viteve 90-të dhe Kosova në vitin 98/99, unë jam thellësisht i habitur dhe i zhgënjyer nga deklarata e Presidentit Millanoviq”, shprehet kryetari i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë.
“Meqë të dy kombet tona janë lidhur që nga lufta në Republikën e Kroacisë, kur shqiptarët dolën vullnetarë për mbrojtjen dhe krijimin e Republikës së tanishme të Kroacisë, një deklaratë e tillë nuk është e përshtatshme për marrëdhëniet tona të thella e miqësore që kemi ndërtuar deri më sot”.