Policia e Rinasit ka arrestuar dy persona të shpallur në kërkim për trafikim dhe shitje droge. Në pranga ka rënë shtetasi K. Ç., banues në Tiranë, i dënuar më parë në Gjermani, për trafikim narkotikësh.
Ky shtetas do të ekstradohet drejt Italisë, pasi Gjykata e Pavias, Itali, me vendimin e datës 24.10.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikim droge”, parashikuar nga kodi penal italian. Maksimumi i dënimit është 20 vjet burgim.
Është arrestuar gjithashtu edhe shtetasi S. A., 59 vjeç, banues në Elbasan, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në vitin 2014 e ka dënuar 59-vjeçarin me 7 vjet e 5 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Më datë 15.10.2011, në dalje të qytetit të Elbasanit, 59-vjeçari është kapur teksa shiste në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, lënde narkotike-heroinë.