Scholz për Putinin: Nuk më ka kërcënuar as mua, as Gjermaninë

Scholz për Putinin: Nuk më ka kërcënuar as mua, as Gjermaninë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë kërcënim nga presidenti rus Vladimir Putini, në bisedat e tij telefonike që i kishte me të.

Këtë deklaratë Scholz e ka bërë në një intervistë për gazetën e së dielës “Bild am Sonntag”.

Ish-kryeministri britanik Boris Johnson, duke folur për BBC për një dokumentar në fillim të kësaj jave, tha se lideri rus e kishte kërcënuar atë me një sulm raketor që do të zgjaste vetëm një minutë. Mirëpo këtë deklaratë të Johnsonit Kremlini e quajti gënjeshtër.

Scholz tha se bisedat që ai pati me Putinin e bënë të qartë se ata kishin pikëpamje shumë të ndryshme për luftën në Ukrainë, të cilën Rusia e quan një “operacion special ushtarak”.

“Unë ia bëj shumë të qartë Putinit se Rusia ka përgjegjësinë e vetme për luftën”, tha Scholz.

“Rusia ka pushtuar fqinjin e saj pa asnjë arsye, në mënyrë që të marrë pjesë të Ukrainës ose të gjithë vendin nën kontrollin e saj”, tha Scholz.

Për shkak se ishte pikëpamja e Gjermanisë se veprimet e Rusisë shkelnin kuadrin e paqes të Evropës, ajo po i ofronte Ukrainës ndihmë financiare, humanitare dhe ushtarake, tha ai.

Putini e konsideron operacionin ushtarak në Ukrainë si një luftë për të “çarmatosur” fqinjin e tij, një ish-republikë tjetër sovjetike dhe për të mbrojtur Rusinë kundër një Perëndimi agresiv. Ukraina dhe Perëndimi e quajnë një luftë të paligjshme për të zgjeruar territorin rus.

Related Articles