Kryetari i Gjilanit nga VV-ja, Alban Hyseni ka përsëritur qëndrimin e qeverisë për pranimin e planit franko-gjerman të propozuar nga BE-ja e të mbështetur nga SHBA-të.
Hyseni në Politiko në Kanal10 tha se pranimi i këtij plani nga kryeministri, Albin Kurti është sinjal për vazhdimin e diskutimeve të mëtejme, por jo edhe pranim i zbatimit të marrëveshjes së Asociacionit.
Kjo sipas tij, marrëveshja e nënshkruar më 2013 e “abnormalizon” shtetësinë e Kosovës.
“Qeveria jonë ka pranuar planin franko-gjerman si një bazë e mirë për të vazhduar tutje. Ishte refuzuar si bazë për të diskutuar më tutje, ndërkohë që ne e kishim pranuar atë që nga fillimi që në qendër të kishte njohjen reciproke. Atë që e bën Asociacionin të mos pranohet është një lloj abnormalizimi i shtetit tonë. Pra, do të ishte normalizimi i marrdhënieve, pastaj njohja në qendër bashkë me këtë marrëveshje që u propozuar nga BE-ja, me mbështetje të SHBA-ve. Absolutisht s’do të thotë që është pranim i Asociacionit”, tha Hyseni.