Zyra për Media e kryeministrisë përmes një komunikate për media ka dhënë detaje për bisedën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar të premten me këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.
Siç njofton ZKM, në këtë bisedë është diskutuar për planin franko-gjerman të cilin Kosova e konsideron” të pranueshëm si bazë të mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel”.
Në këtë bisedë telefonike Kurti-Chollet, sipas kryeministrisë është diskutuar edhe për rëndësinë e avancimit të Kosovës në integrimet ndërkombëtare “në kohën kur të arriturat demokratike dhe ekonomike të Kosovës në këto dy vitet e fundit janë evidentuar nga shumë organizata e institute ndërkombëtare prestigjioze”.
Në këtë bisedë Kurti ka konfirmuar gatishmërinë për takime të radhës të nivelit të lartë dhe ka shprehur pajtueshmëri për nevojën që të ketë intensifikim të procesit të negociatave.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog sepse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri Kurti bisedoi me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Chollet
Prishtinë, 11 shkurt 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi dje një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Diskutuan për propozimin evropian, të pranueshëm si bazë të mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e avancimit për Kosovën në integrime ndërkombëtare në kohën kur të arriturat demokratike dhe ekonomike të Kosovës në këto dy vitet e fundit janë evidentuar nga shumë organizata e institute ndërkombëtare prestigjioze.
Kryeministri Kurti konfirmoi gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe shprehu pajtimin e tij për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog sepse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO.