Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me Vlora Çitakun kanë takuar futbollistin e shquar të kombëtares së Kosovës dhe Galatasarajit, Milot Rashicën.
Rashica, i cili karrierën si futbollist po e vazhdon në Turqi gjendet për një vizitë në Kosovë.
Ai ka dërguar ndihma të mëdha për të prekurit nga tërmeti në Turqi.
“Miloti është njeri dhe futbollist i shkëlqyer me plotë emocione për situatat e ndryshme që kalojnë njerëzit, në veçanti katastrofat natyrore si ky tërmet në Turqi e Siri”, ka deklaruar Lladrovci në rrjetin social, Facebook.
Postimi i plotë:
Bashkë me Vlorën dhe Modestën, takuam mikun tonë, yllin e futbollit, Milot Rashicën, tashmë duke luajtur për Galatasarajin e Stambollit dhe filluam patejkalueshëm të flasim për temën tepër prekëse, tërmetin katastrofal në Turqi.
Miloti me shokë e ka ndihmuar Qendrën bamirëse të klubit Galatasaraj që përgatiti dhe dërgoi dhjetëra maune me ndihma për të goditurit nga tërmeti. Përjetimet e Milotit ishin tepër të rënda dhe ato që dëgjova prej tij, janë tepër të rënda se si lagje të tëra rrafshohen me tokë ku humbën jetën mbi 40 mijë qytetarë.
Po ashtu, folëm edhe për ndihmën që po ofron FSK-ja e cila ka treguar suksese të mëdha në zbulimin e personave të gjallë nën rrënoja. Kosova ka dëshmuar solidaritet dhe ka ofruar përkrahje të plotë për të prekurit e tërmetit katastrofal, duke dëshmuar përkushtim për tejkalimin sa më të shpejtë të gjendjes.
Miloti është njeri dhe futbollist i shkëlqyer me plotë emocione për situatat e ndryshme që kalojnë njerëzit, në veçanti katastrofat natyrore si ky tërmet në Turqi e Siri.