Dita e Presidentit, Osmani dhe ish-presidentët nderojnë Rugovën

Dita e Presidentit, Osmani dhe ish-presidentët nderojnë Rugovën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me rastin e shënimit të 24 majit – Ditës së Presidentit do të nderojë ish-presidentin historik, Ibrahim Rugova.

Osmani bashkë me ish-presidentët, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe ish-presidenten Atifete Jahjaga vendosën lule tek shtatorja e ish-presidentit Rugova në sheshin që mbanë emrin e tij në kryeqytet, njofton klankosova.tv

Presidentja Osmani në nderim të Rugovës zgjodhi fjalët më të veçanta për të teksa tha se është arkitekti i shtetit tonë.

“Sot është Dita e Presidentit e shpallur si e tillë nga presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova prandaj sot jam e nderuar që së bashku me ish-presidentët e filluam ditën duke e nderuar arkitektin e shtetit tonë, njeriun e cili e bëri bashkë popullin e Kosovës në mënyrë që të artikulohet qartë vullneti ynë për liri dhe pavarësi të vendin tonë”, tha Osmani.

“24 Maji është ditë e rëndësishme sepse afërsisht rreth tri dekada më herët qytetarët e Kosovës masivisht treguan se cili ishte vullneti i tyre, treguan se nuk do të ketë asgjë që do të mund t’i ndalë në rrugën e tyre të drejtë për shtet të pavarur”

“Duke marrë për bazë se ishin zgjedhjet e para ku shqiptarët e Kosovës merrnin pjesë aq masivisht dhe i themeluan institucionet e tyre nëpërmjet vullnetit të lirë – presidenti Rugova pikërisht 24 Majin e shpalli si Ditën e Presidentit. Kjo ditë na e kujton jo vetëm historinë por edhe të sotmen dhe rëndësinë e një institucioni të tillë në përfaqësimin e unitetit të popullit”, tha mes tjerash presidentja Osmani.

Ish-presidentja, Jahjaga falënderoi presidenten Osmani për ftesën që të gjithë bashkë të nderojnë ish-presidentin Rugova.

“Dëshiroj të falënderoj Presidenten Osmani për ftesën për ne ish-presidentët që të nderojmë ish-presidentin Rugova. 24 Maji është datë e veçantë pasi po kujtojmë një figurë të rëndësishme të popullit të Kosovës, ish-presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova”.

“Rugova udhëhoqi vendin në kohët më të rënda që në si shtet dhe popull po ballafaqoheshim në ato kohë të rënda, ai udhëhoqi me Kosovën dhe popullin edhe pas luftës për shtet ndërtim bashkë me krijimin e aleancave më të mëdha botërore” tha Jahjaga.

Ndërsa ish-presidenti, Pacolli tha se Rugova meriton gjithmonë që të kujtohet me manifestime të tilla.

“Presidenti historik i Kosovës ka dhënë aq shumë për këtë vend aq shumë për këtë demokraci që ja vlen gjithmonë të kujtohet me një manifestim simbolik të këtij lloji”, tha Pacolli.

Related Articles