Avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emmerson ka shpjeguar sot në seancën e radhës statuore se pjesa e krimeve për të cilat akuzohen krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë ndodhur në kohëra kur kjo organizatë nuk kishte organizim dhe as mundësi funksionimi të mirëfilltë në terren.
Ai thotë se pjesa më e madhe e krimeve që pretendon Prokuroria Speciale se janë kryer, kanë ndodhur në kohën kur popullata ishte kthyer në shtëpitë e tyre, pas ofensivave serbe, duke nënkuptuar se shumë krime kanë ndodhur si hakmarrje.
“Shumica e krimeve kanë ndodhur në verën e ‘98-ës, ‘99-ës, nga të dyja anët, në kohën kur pikërisht UÇK nuk kishte organizim. Në pranverë, nga fillimi i sulmit ndaj familjes Jashari dhe Haradinaj, deri në verë të vitit ‘98, nga aksionet e forcave serbe rrugët kryesore ishin të bllokuara, dhe UÇK nuk kishte mundësitë dhe mjetet të lëvizte dhe organizohej. Njerëzit e kthyer në Kosovë, mund të jenë kthyer me hakmarrje. Të gjitha këto çështje duhen shqyrtuar. Dhe këtu është ndërprerë aftësia e UÇK-së për të kontrolluar”, ka thënë avokati britanik.
Elementet kryesore të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit përfshijnë përgjegjësinë komanduese, duke pretenduar për një organizim të UÇK-së me një vijë të qartë hierarkie vertikale.