Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka folur për propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në Konferencën e Sigurisë që po mbahet këtë të premte në Mynih.
Scholz ka thënë se propozimi franko gjerman për Kosovën dhe Serbinë është pjesë e një përpjekjeje për t’u bërë më të fortë dhe më të aftë në aspektin gjeopolitik.
“Propozimi franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë është pjesë e një përpjekjeje për ta bërë Bashkimin Evropian më të fortë dhe më të aftë në aspektin gjeopolitik, dhe si një aleat në komunitetin transatlantik”, është shprehur kancelari gjerman.
Ndryshe, Kosova e ka pranuar propozimin franko-gjerman të njohur edhe si plani evropian. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ky plan parasheh njohjen de facto të Kosovës nga Serbia.
Ai gjithashtu ka thënë se ky plan është më tepër një marrëveshje bazike që synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk është një marrëveshje finale.