Në kuadër të Konferencës së Mynihut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim edhe me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takimin me zyrtarët e lartë të BE-së është diskutuar për procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia.
“Po ashtu u fol për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, Borrell, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka thënë se, normalizimi i raporteve me Serbinë është kyç për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
“U takova me Kurtin në Konferrencën e Mynihut për Siguri për të diskutuar për nevojën për avancim të propozimit të BE-së për normalizim raportesh me Serbinë, që është kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Do të takohemi në Bruksel për takim në nivel të lartë më 27 shkurt”, ka shkruar Borrell në Twitter.
Met with @albinkurti at #MSC2023 to discuss the need to advance on EU Proposal on normalisation of relations with Serbia, which is key for Kosovo’s EU path.
We will meet in Brussels for the High Level Dialogue Meeting on 27 February. pic.twitter.com/9uk7PY1mQB— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) February 18, 2023
Për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u fol në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet një konferencë për sigurinë.
Në këtë takim ishin prezent edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna.
Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.
Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.