Një aksion i njësisë rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Pejë, i zhvilluar sot në asistim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, te Çarshia e Gjatë në Pejë, ka rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e disa armëve.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se gjatë këtij aksioni, njësitë e Policisë kanë gjetur dy armë zjarri dhe rreth dhjetëra fishkë, që janë sekuestruar nga ana e zyrtarëve policorë. Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe disa njësi policore, që kanë mbledhur prova në lidhje me rastin.
Sipas informacioneve të para, armët që u gjetën iu përkasin dy personave, babë e bir, njëri prej të cilëve posedonte leje, teksa arma e djalit të tij, i cili nuk ndodhet në Kosovë nuk kishte leje, prandaj është sekuestruar.
Babai i të dyshuarit është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë në lidhje me rastin, teksa pas përfundimit të procedurave policore është iniciuar rasti si “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.”