Drita ka pësuar humbje nga Ferizaj, në takimin e vlefshëm për javën e 22-të kampionale dhe ka bërë hap të madh prapa për titull të kampionit.
Ferizaj triumfoi 2:1 me përmbysje në rezultat ndaj nënkampiones në stadiumin ndihmës të po këtij qyteti.
Kastriot Selmani kaloi Dritën në epërsi në minutën e 54-të. Tre minuta më vonë Ferizaj barazoi me Ergon Hysenin.
Golin e fitores për vendasit e shënoi Betim Haxhimusa në minutën e 85-të të përballjes.
Me këtë humbje, Drita mbetet në vendin e dytë me 44 pikë, tri më pak se Ballkani që ka një takim më pak. Ferizaj ngritet në vendin e parafundit me 21 pikë.
Malisheva ka shënuar fitore të madhe ndaj Drenicës në duelin direkt mes skuadrave që po luftojnë për mbijetesë.
Ekipi i Bylbyl Sokolit fitoi 3:1 kundër Drenicës në stadiumin “Liman Gegaj”.
Soboëale (12’), Hazrollaj (39’) dhe Maliqi (60’) ishin realizatorët për Malishevën. Për Drenicën golin e vetëm e shënoi Abazi (35’).
Malisheva me këtë fitore ikën nga zona e kuqe. Ata pozicionohen në vendin e shtatë me 24 pikë. Drenica bie në vendin e fundit me 20 pikë.