Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vlerësuar se takimi i 27 shkurtit në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të BE-së dhe mbështetjen e ShBA-ve, shënon moment pozitiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Kështu ka thënë për Telegrafin, Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes. Ai ka shtuar se presidentja Osmani ka vlerësuar gjithashtu se takimi i djeshëm i kontribuon paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.
Sipas tij, Osmani ka theksuar se me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetë menaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.
“Presidentja e Republikës së Kosovës vlerëson se nëse marrëveshja zbatohet në mënyrë burimore, ajo do të përcaktonte parime të rëndësishme për relacionet ndërmjet palëve, duke i vendosur si të barabarta, me respekt reciprok dhe në përputhje me parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë parimin e respektimit të integritetit territorial.
Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit. Presidentja Osmani thekson se çdo rezultat i dialogut duhet ta ruajë integritetin territorial, sovranitetin dhe funksionalitetit e brendshëm të Kosovës”, ka thënë Kupina.
Kupina ka shtuar se presidentja Osmani vazhdimisht ka thënë sikurse ka nënvizuar edhe presidenti Biden, se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me njohjen reciproke, ndaj Plani Evropian mund të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi.
Reklama
“Presidentja konsideron se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, meqë preken kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Kupina. /