Arsenali ka marrë fitore spektakolare ndaj Evertonit në ndeshjen e mbetur nga xhiro e shtatë në Ligën Premier.
Topçinjtë triumfuan me rezultat të thellë 4-0 duke shtuar në pesë pikë epërsinë nga ndjekësit më të afërt që janë Manchester City.
Bukayo Saka, Martin Odegaard dhe Gabriel Martinelli me dy gola të tjerë ishin realizuesit në fitoren e thellë të londinezëve.
I lumtur me këtë fitore është shprehur trajneri spanjoll Mikel Arteta, që tha se skuadrës i duhej një moment magjik për tu zhbllokuar dhe atë e bëri Saka.
“Jam i kënaqur me fitoren dhe mënyrën se si luajtëm pas 25 minutave të para. Hasëm vështirësi në minutat e para. Por, pasi ne shënuam golin e parë, sfida u bë më e lehtë. Na duhej një moment magjik dhe Saka e dhuroi atë”, tha Arteta.
Tutje trajneri spanjoll deklaroi se e bën të lumtur fakti që skuadra luan futbollin që ai do.
“Pas golit të parë ne u rritëm dhe e merituam fitoren. Pjesa e dytë pastaj ishte fantastike, mund të shënonim edhe më shumë. Lumturohem kur shoh skuadrën të luajë futbollin që duam të luajmë”, u shpreh Mikel Arteta.
Pas 25 ndeshjeve në Ligën Premier, Arsenal është lider me 60 pikë, i ndjekur nga Manchester City me 55 dhe Manchester United që ka 49 me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndeshjen e ardhshme skuadra londineze e zhvillon ndaj Bournemouthit sërish para adhuruesve të vet.