Nenad Gjuriq përjashtohet përfundimisht nga Policia e Kosovës

<strong>Nenad Gjuriq përjashtohet përfundimisht nga Policia e Kosovës</strong>

Policia e Kosovës me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për Nenad Gjuriqin, ish-Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri. 

Demokracia.com ka siguruar vendimin për shkëputjen e marrëdhënies së punës me Gjuriqin.

“Kapiten Nenad Gjuriq, në pozitën e Drejtorit Rajonal, Drejtoria Rajonale Mitrovicë Veri, Policia e Kosovës, ka rënë ndesh me Udhëzimin Administrativ nr.04/2019 për Shkeljet, Masat dhe Procedura Disiplinore në Policinë e Kosovës, përkatësisht nenin 20 “Sjellje e rendë diskredituese”, nenin 21 “Mosbindje e rëndë” dhe nenin 24 “Shkelje e rendë e autorizimit”.

“Prandaj, duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ nr.04/2019 për Shkeljet, Masat dhe Procedura Disiplinore në Policinë e Kosovës, neni 42 “Masat për shkelje të rënda disiplinore për punonjësit e PK-së”, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1, Ligji për Inspektoratin Policor të Kosovës Nr.03/L-231, neni 22, paragrafi 1, si dhe rekomandimin e IPK-së, i shqiptohet masa disiplinore: Ndërprerja e marrëdhënies së punës”, thuhet në vendimin e siguruar nga Demokracia.com.

Në arsyetim të këtij vendimi është thënë se deri te ndërprerja e marrëdhënies së punës për Gjuriqin ka ardhur pasi ai më 02 nëntor 2022, së bashku me zyrtarë të tjerë të policisë (komandantët e stacioneve policore nën udhëheqjen e DRP Mitrovicë Veri) dhe pjesëtarët e partisë politike “Lista Srpska”, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën publikisht kishte thënë se nuk mund ta zbatojë vendimin e Qeverisë dhe ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë sa i përket targave.

Ndonëse policët serbë ishin larguar nga Policia, Gjuriq i cili ishte në suspendim vazhdonte të paguhej nga buxheti i shtetit.

Nenad Gjuriq në nëntor të vitit të kaluar kishte deklaruar se nuk do të jetë më pjesë e Policisë së Kosovës.

Ai me veprimet të cilat bëri vitin e kaluar, duke mohuar të vepronte me vendim të Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat serbe, u suspendua nga detyra. Ndërsa, ndaj tij nisi procedura disiplinore për sjellje të rëndë diskredituese, mosbindje e rëndë dhe shkelje e rëndë e autorizimit.

Ky vendim erdhi për gati tre muaj pasi Gjuriq tha se nuk do të jetë më pjesë e institucionit kryesor të sigurisë në Kosovë, Policisë së Kosovës.

Në fund të vitit të kaluar, nga institucionet e Kosovës dhanë dorëheqje zyrtarë policorë, gjykatës, prokurorë e doganierë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e qytetarëve serbë, të cilat qarkullonin në komunat me shumicë serbe.

Nenad Gjuriq, pasi u deklarua se u largua nga policia, u dekorua me medalje presidenciale nga Aleksandar Vuçiq. Sipas mediave serbe, Vuçiq i dhuroi Gjuriqit “Urdhrin e Meritës së Klasit të Parë për Mbrojtje dhe Siguri”, i cili u tha se jepet për kryerjen mbi mesataren, në mënyrë shembullore dhe me nder të detyrave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Related Articles