Gazetari evropian analizon propozimin e BE-së: Në thelb, është shtesë e marrëveshjes së vitit 2013

Gazetari evropian analizon propozimin e BE-së: Në thelb, është shtesë e marrëveshjes së vitit 2013

Gazetari i Radio Evropa e Lirë, Rikard Jozwiak i ka kushtuar një shkrim të gjatë dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe mundësisë që këto dy shtete të arrijnë një marrëveshje së shpejti mbi planin evropian dhe aneksin e zbatimit të këtij plani.

Ai ka bërë përmbledhje të takimit të 27, duke thënë se Serbia dhe Kosova kanë pranuar tashmë propozimin e Bashkimit Evropian të titulluar “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas tij, “marrëveshja, e cila duke u bërë që nga vjedhta e vitit 2022 dhe mbulon shumë aspekte të marrëdhënieve të dy vendeve, nuk është nënshkruar ende, por është publikuar zyrtarisht nga trupi i politikës së jashtme të BE-së”.

Megjithatë, ai thotë se ka disa paralajmërime.

Ai i referohet një zyrtari të lartë të BE-së i cili tha se tekstit i mungon vlefshmëria pa aneksin. Kjo sipas tij, e bën nenin 11 të marrëveshjes më të rëndësishmin pasi ajo parasheh që palët duhet të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në marrëveshje.

Jozwiak ka bërë edhe një analizë siç e quan ai “të thellë”, që si pikë kyçe ka përmendur se “marrëveshja është në thelb një shtesë e marrëveshjes historike të Brukselit të vitit 2013 midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila synonte të normalizonte marrëdhëniet mes dy vendeve pasi Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 – një lëvizje që Serbia nuk e ka pranuar kurrë”.

Sipas tij, Serbia, Kosova dhe BE-ja po përpiqen të përditësojnë marrëveshjen e arritur një dekadë më parë, për të ndihmuar të dy shtetet në nisjen e përpjekjeve për anëtarësim ne BE, por pa ndonjë detyrim formal për Beogradin që të njoh pavarësinë e Kosovës – të paktën tani për tani.

“Ndërsa Serbia i hapi negociatat me BE-në një vit pas marrëveshjes fillestare të Brukselit, në vitin 2014, ajo deri më tani ka arritur t’i zgjidhë vetëm dy nga 34 fushat e politikës. Me pesë vende anëtare të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën si vend, ai mbetet i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që ende nuk është një vend zyrtar kandidat në BE dhe aplikimi për t’u anëtarësuar, i paraqitur në fund të vitit të kaluar, ende nuk është shqyrtuar seriozisht nga blloku. Për momentin, kjo do të thotë se Prishtina as nuk mund të fillojë zyrtarisht procesin e punës në fushat e politikave të mandatuara nga BE-ja”, shkruan Jozwiak.

Më tutje, Jozwiak ka bërë edhe disa vështrime karshi marrëveshjes eventuale midis Kosovës dhe Serbisë të cilat do të listohen më poshtë të përkthyera:

  • Një nga pikat kryesore të pengesave që ka mbetur nga marrëveshja e vitit 2013 është krijimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kryeministri Kurti e ka ndërtuar suksesin e tij të fundit politik në refuzimin e lejimit të kësaj, duke argumentuar se një strukturë e tillë do të krijonte probleme të ngjashme me ato në Bosnje-Hercegovinë ku subjektet politike që përqendruara rreth përkatësisë etnike vështirësojnë çdo reformë.
  • Teksti aktual i marrëveshjes nuk përmend asgjë në mënyrë eksplicite për një “asociacion” të komunave me shumicë serbe. Në vend të kësaj, ai thekson se Beogradi dhe Prishtina duhet të “sigurojnë një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha të veçanta, duke përfshirë mundësinë për mbështetje financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për Komunitetin serb për Qeverinë e Kosovës”.
  • Pyetja është nëse një gjuhë e tillë e paqartë dhe e papërkushtuar, mund të funksionojë. Ndoshta, Kurti potencialisht mund të përpiqet të shesë atë si diçka tjetër përveç një asociacioni të komunave me shumicë serbe, edhe pse teknikisht është pothuajse e njëjta gjë dhe Vuçiq mund të argumentojë se Beogradi ka ende rrugë për të mbështetur financiarisht dhe politikisht serbët etnikë në Kosovë.
  • Që nga publikimi i dokumentit të fundit, Vuçiq ka qenë i bindur se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe as do ta pranojë atë të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara. Ky qëndrim është në kundërshtim me dispozitat e marrëveshjes së re, veçanërisht me nenin 4, i cili thotë se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
  • Testi i vërtetë për përparim mund të vijë në këtë pranverë. Së pari, Kosova po kërkon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës; dhe së dyti, 27 shtetet anëtare të BE-së do të kërkojnë konsensus në mënyrë që të dërgojnë kërkesën e Prishtinës për BE nga Këshilli Evropian i cili përcakton drejtimin politik dhe prioritetet e BE-së, tek komisioni Evropian për të përgatitur një opinion ligjor. Në të dyja rastet, Beogradi ka punuar në prapaskenë për të penguar çdo përparim, sipas disa zyrtarëve të BE-së të njohur për këtë çështje, por që nuk janë autorizuar të flasin publikisht.
  • Vlen gjithashtu të theksohet se ndërsa marrëveshja nuk e detyron Beogradin të pranojë ligjërisht pavarësinë e Kosovës, ajo përfshin lëvizje që në thelb nënkuptojnë njohje de facto, siç është nevoja për të “njohur reciprokisht dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore” dhe shkëmbimi i misioneve të përhershme në kryeqytetet e njëri-tjetrit. /Paparaci.com/ 

Shënim:

Rikard Jozwiak është redaktor për Evropën në Radio Evropa e Lirë në Pragë dhe është i fokusuar në mbulimin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ai ka punuar më parë si korrespondent i REL në Bruksel, duke mbuluar samite të shumta ndërkombëtare, zgjedhjet evropiane dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Ai ka raportuar nga shumica e kryeqyteteve evropiane, si dhe nga Azia Qendrore. 

Related Articles