Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë të ditur se boksierja Donjeta Sadiku edhe zyrtarisht nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që nis sot në New Delhi të Indisë, raporton Gazeta Enigma.
Përkundër se Ministria e Jashtme e Indisë, dha të hënën ‘dritën e gjelbërt’ për marrjen e vizës për ekipin tonë, disa orë më vonë Federatës së Boksit të Kosovës, iu kushtëzua pjesëmarrja e Donjetës.
Organizatori i Kampionatit bëri me dije se pjesëmarrja e boksieres tonë mund të bëhet vetëm me dy kushtet e vëna: Flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror, si dhe pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të bartin flamurin e tyre, qoftë edhe në veshjet e tyre në formë të printuar.
Duke parë këto kushte dhe diskriminimin e bërë nga shteti i Indisë, FBOXK në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, vendosi të mos udhëtojë fare drejt Indisë.
Kjo është hera e tretë që Sadikut i mohohet pjesëmarrja në Kampionatet Botërore në Indi dhe njëherit mundësia për të fituar një tjetër medalje botërore./GAZETA ENIGMA/