Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka pritur në një takim ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.
Abdixhiku i ka thënë ambasadorit amerikan se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, përpos marrëveshjes me njohje të ndërsjellë.
“LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Në takim po ashtu elaboruam edhe pikëpamjet tona mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje ka shkruar se temë diskutimi ishin zhvillimet politike në vend dhe dialogu.
“Ambasadorin e njoftova mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”, ka shkruar i pari i LDK-së.