Dhuna në familje vazhdon të jetë një nga problemet më të theksuara me të cilat Kosova është duke u përballur çdo ditë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti në adresë të Policisë së Kosovës janë raportuar 404 raste të dhunës në familje.
Ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar sipas njoftimit të Policisë 500 raste u raportuan për dhunën në familje.
“Gjatë muajit janar 2022 janë evidentuar 264 raste të dhunës në familje, në janar 2023 janë evidentuar 216 raste. Ndërsa gjatë muajit shkurt 2022 janë evidentuar 236 raste të dhunës në familje, në shkurt 2023 janë evidentuar 188 raste”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën “Enigma”.
Në vitin e kaluar në Policinë e Kosovë u raportua për 2764 raste të dhunës në familje.
Sipas këtyre statistikave shumica e viktimave janë vajza dhe gra.
“Gjatë vitit 2022, policia ka iniciuar 2764 raste të dhunës në familje; në këto raste 2289 viktima kanë qenë femra dhe 519 meshkuj”.
“Numri i rasteve nuk është i barabartë me numrin e viktimave (ankuesve) pasi në një rast mund të ketë më shume se një viktimë, pra numri i viktimave është më i madh se numri i rasteve”, thuhet në përgjigjen e Policisë
Për këtë cështje, Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me psikologun, Imri Zabeli, i cili vlerëson se dhuna në familje dhe mungesa e barazisë në familje janë gjëra që e karakterizojnë shoqërinë tonë në përgjithësi.
“Dhuna në familje dhe mungesa e barazisë në familje është diçka që e ka karakterizuar shoqërinë tonë dhe e njëjta gjë edhe tani është prezentë, ndonëse jo në nivel aq të lartë sa me parë”, tha psikologu Zabeli për Gazetën “Enigma”.
Tutje ai ka shtuar se rritjet e rasteve të dhunës në familje lidhet me ndërgjegjësimin për t’i raportuar këto sulme.
“Ajo që po ndodh tani e që po duket si rritje e dhunës në familje mund të jetë për shkak të krijimit të mundësive dhe rrethanave më të lehta për ta raportuar dhunën në familje. Kemi rritje të rasteve të vrasjeve fal raportimit, në të kaluarën nuk u raportuan si vrasje por si vdekje në rrethana tjera”, tha psikologu Zabeli.
Tutje ai shtoi se “Sa i përket vrasjeve që po ndodhin në familje kjo ka dy shpjegime, ose janë rritur rastet e vrasjeve ose në të kaluarën janë kamufluar si raste dhe nuk janë raportuar si vrasje por si vdekje në rrethana tjera”. /GAZETA ENIGMA/