Trajneri i Malishevës, Bylbyl Sokoli, është shprehur i brengosur për humbjen në çerekfinale të Kupës së Kosovës, pasi ky eliminim mund të ndikojë edhe në ndeshjen e radhës në ligë, raporton Gazeta Enigma.
Malisheva në fundjavë në kuadër të xhiros së 26-të e pret Dritën.
Të mërkurën në stadiumin “Zahir Pajaziti”, u mposht në penallti 6:5 nga Llapi, pasi 120 minutat e zhvilluara u mbyllën baras, 2:2.
“Futbollistët dhe i gjithë shtabi teknik ka bërë çdo gjë që ndeshja të fitohet. Penalltitë janë momentet kur futbollistët duhet të jenë më të koncentruar. Ne e humbëm penalltinë e gjashtë dhe kjo ishte vendimtare. Neve na mbetet tani gara në kampionat. Djemtë u angazhuan dhe dhanë çdo gjë. Do të na kushtoj në kampionat, sepse të luash 120 minuta, tani nuk do të kemi kohë as për rigjenerim. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Na mbetet shumë punë dhe shumë luftë për ekzistencë. Komplimente futbollistëve për angazhimin dhe rendimentin e dhënë sot”, tha Sokoli.
Për penallti, Sokoli portën ia besoi portierit Armend Blakçori, që e zëvendësoi Flamur Gashin.
“Menduam se ai ishte portier më me përvojë për pritjen e penalltive. Kjo nuk u realizua, por kjo ndodh”, është shprehur Sokoli.