Diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, u ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që ta bëjnë një hap besimi përpara. Duke përmendur takimin e 18 marsit në Ohër, ai ka thënë se të dy do ta kenë një mundësi historike që të tregojnë guxim dhe lidership politik. Ischinger ka thënë se Ballkanit Perëndimor i duhet kjo pikë kthese, raporton Gazeta Enigma.
“Koha për vendime të guximshme për të kapërcyer pengesat e së kaluarës ka ardhur, duke hapur rrugën drejt bashkëpunimit rajonal dhe anëtarësimit të ardhshëm në Bashkimin Evropian”, ka shkruar ai për Politicon.
Prosperitetin e plotë të Ballkanit Perëndimor, Ischinger e sheh vetëm nëse marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vihet përfundimisht në një bazë të qëndrueshme dhe bashkëpunuese.
Ischinger ka thënë se shumë gjëra kanë ndryshuar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ndërkohë ka ngritur shqetësimin e një konflikti duke përmendur tensionet e fundit në veri të Kosovës.
“Përderisa dy shtetet mbeten të lidhura me qasjen e konfrontimit, ato nuk do të mund ta kuptojnë potencialin e tyre të plotë të rolit që kanë për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin. Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës edhe një herë dëshmuar rreziqet e eskalimit – madje edhe të konfliktit të madh – për çka nevojitet veprim urgjent sa i përket çështjes së statusit të pazgjidhur të Kosovës dhe atë të të drejtave të pakicës serbe”.
Ndërkohë që ka përmendur Propozimin evropian, Ischinger përfundimin e suksesshëm të bisedimeve e sheh të qartë.
“Por zgjidhja është e qartë: Serbia duhet ta pranojë faktin se Kosova është këtu për të qëndruar, përfshirë edhe në skenën ndërkombëtare. Dhe Kosova duhet të pajtohet me domosdoshmërinë e adresimit të shqetësimeve të pakicës së saj serbe, duke përfshirë pranimin e formimit të parashikuar të një asociacioni të komunave me shumicë serbe”.
“Bëjeni pikën tuaj të kthesës – tani”, ka shkruar Ischinger drejtuar Kurtit dhe Vuçiqit.