Vlora Hyseni, e cila ishte shkarkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga posti i zëvendësdrejtorit të Agjencisë Kosovarë të Inteligjencës, sot ka marrë një pozitë tepër të rëndësishme në shtetin shqiptar, raporton Gazeta Enigma.
Ajo është emëruar nga Edi Rama në krye të inteligjencës shqiptare.
“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar”, ka shkruuar Edi Rama.
Postimi i plotë:
Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.
Ndryshe, në qershor të vitit 2021, Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, e kishin shkarkuar nga detyra zëvendësdrejtoren e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Vlora Hyseni.
Njoftimi për shkarkimin e saj bëhet i ditur përmes një komunikate nga zyra e kryeministrit Kurti.
“Vendimi për shkarkim e obligon Vlora Hysenin të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara”, thuhej në komunikatë.