Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i AAK-ë, Ramush Haradinaj, i ka përmendur tri objektiva kryesore që duhet arritur në fazën e parë të implementimit të marrëveshjes kornizë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“E para, ta arrijë partneritetin për paqe si fazë e parë e anëtarësimit në NATO;
Të rikthehet në agjendën integruese evropiane, duke e rikthyer edhe procesin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, si dhe;
Ta rivendosë rendin dhe ligjin në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale atje;
Krahas obligimeve të marra, këto duhet të jenë prioritetet e Qeverisë në fazën e parë të implementimit të marrëveshjës së Ohrit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ndërsa sipas dakordimit në Ohër, Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
Po ashtu palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.
“Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”, thuhet ndër të tjera në Aneksin e Zbatimit.