Trajneri i Izraelit, Alon Hazan shpreson që kombëtarja e tij të fillojë kualifikueset për Kampionatin Evropian në mënyrë të mbarë, duke marrë një fitore ndaj Kombëtares së Kosovës në futboll me 25 mars.
Izraeli e mirëpret Kosovës në Bloomfield Stadium në Tel Aviv të shtunën me fillim nga ora 18:00, në kuadër të ndeshjes së parë të grupit I në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro2024”.
Hazan, trajneri i Izraelit beson se ndeshja ndaj Kosovës do të jetë shumë interesante dhe e mirë për t’u shikuar.
“Na pret një ndeshje sfiduese ndaj një kundërshtari cilësor, i cili gjithashtu ka ambicie të rikthehet me një rezultat të mirë në vendin e tyre”, tha fillimisht Alon Hazan për ‘GazetaBlic Sport’.
Në Tel Aviv të shtunën do të jenë 30 mijë tifozë që do ta përkrahin kombëtaren e Izraelit, e për këtë është shumë i lumtur selektori izraelit, i cili thotë se duan t’ia nisin këtyre eliminatoreve me këmbë të mbarë.
“Një lojë në shtëpi në fillim të një fushate eliminatore dhe në një stadiumi plot me tifozë është një mundësi e shkëlqyer për të nisur me këmbën e djathtë. Jam i sigurt se do të jetë një lojë e mirë dhe do të bëjmë gjithçka për t’i lumturuar tifozët tanë”, përfundoi ai.