Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka thënë se në kohën kur kryeministri Albin Kurti, ka qenë në “lista të zeza”, ai shkonte në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Pa përmendur se çfarë liste bëhet fjalë e pa ofruar detaje të tjera, ai tha se e ka mbrojtur shefin e qeverisë në një panel kur ka qenë prezent edhe emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Abazi tregoi se ka bërë notë proteste për shkak të mos-pajisjes së Kurtit me vizë. Sipas tij, ballafaqimi ka ndodhur në Departamentin e Shtetit.
“Në kohën kur ka qenë zoti Kurti në lista të zeza, unë kam qenë ndër të vetmit në ShBA, edhe në BE, nga pozita kur kam qenë. E kam mbrojtur veprimin politik dhe aktivitetin e LVV-së. Mundeni me pa, ballafaqimi në State Department ku ka qenë Lajcaku në panel, në të cilin rast zotit Kurtit nuk i është dhënë viza, para të gjithë pjesëmarrësve kam bërë notë proteste për mos-dhënien e vizës ndaj zotit Kurti”, tha ai në Pressing të T7.
Abazit më pas i reagoi analistja Donika Kadaj-Bujupi.
“Demek ju kaq hero i madh, edhe në fund iu paskan luftu se shumë heroike kështu po doket”, i tha ajo Abazit.
Pas kësaj, Abazi e luti atë që ta ruajë mënyrën e komunikimit.
“Të lutem ruaje gjuhën dhe formën e të shprehurit”, iu kundërpërgjigj Abazi.