Jo rrallëherë fëmijët janë viktima të dhunës qoftë nga prindërit e tyre apo edhe anëtarë të tjerë të familjes. Në shumicën e këtyre rasteve, fëmijët janë edhe të moshës së mitur, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Dobratin të Podujevës.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se këtë herë viktimë është një djalë 13-vjeçar, ndaj të cilit dyshohet se për motive akoma të panjohura ka ushtruar dhunë babai i tij, i cili e ka goditur në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime.
Siç mëson Sinjali, rasti është raportuar nga vëllai i viktimës, i cili kërkoi ndihmë nga Policia, pasi babai i tyre ka ushtruar dhunë duke iu shkaktuar frikë e shqetësim të madh.
Si rezultat i raportimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë lidhur me denoncimin kundër tij, kurse fëmija ka marrë trajtim mjekësor në spital.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”.