Presidentja Vjosa Osmani dhe kreu i Qeverisë, Albin Kurti kanë bërë sit homazhe në kompleksin memorial në Izbicë, në 24-vjetorin e masakrës ku mbetën të vrarë 147 shqiptarë.
Osmani gjatë fjalimit të saj tha se Liria e Kosovës ka ardhur falë viktima të luftës, e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kjo ka qenë një ndër masakrat më të tmerrshme të Serbisë, të shtetit gjenocidal serb ndaj popullit shqiptar. Dhe krimi nuk përfundoi me vrasjen dhe masakrimin e qytetarëve tanë në Izbicë, por u dyfishua atëherë kur forcat serbe zhvarrosën të vrarët dhe i rivarrosën ata në varrezat masive në vende të ndryshme në Serbi dhe në Kosovë”, tha Osmani.
Tutje ajo përmendi edhe viktimën më të re të kësaj masakre, Dafinën e cila gjatë luftës ishte 6 muajshe.
“Trupat e tyre u gjendën vite më pas, duke përfshirë edhe foshnjën 6 muajshe, Dafinën që e tregon mizorinë e krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë. Edhe Izbica është një ndër dëshmitë e shumta që shteti serb ka kryer gjenocid dhe qëllimin e kishte ta shfaroste popullin shqiptar. Ndaj edhe sot këtu ndajmë dhimbjen me të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre , sepse dhimbja e tyre është dhimbje e Kosovës. Liria u bë e mundshme shkaku i të gjitha këtyre viktimave, shkaku i luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe natyrisht sakrificës së të gjithëve”, tha tutje Osmani. / Gazeta Enigma.