Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në një shtëpi në rrugën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, ku gjatë një bastisje të Policisë, tetë persona janë kapur duke organizuar bixhoz të jashtëligjshëm.
Sinjali mëson se gjatë bastisjes së lokacionit janë gjetur dhe sekuestruar letra dhe çipa që shërbejnë për të luajtur bixhoz dhe sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe marihuanë.
Tetë të dyshuarit, përfshirë njërin prej tyre që po kërkohej me katër urdhëresa të lëshuara nga gjykata, janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të hetohen në liri për veprat penale ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’ dhe ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’. Ndërkohë personi që po kërkohej nga Gjykata, është dërguar në vuajtje të dënimit.