Goli i katërt në pesë ndeshjet e fundit. Granit Xhaka po shndërrohet në golashënues të rëndësishëm, ndonëse ka gjithë karrierën që luan në mesfushë. Në edicionin aktual po luan më i avancuar në fushë dhe golat nuk po i mungojnë.
Xhaka të shtunën shënoi gol të bukur me kokë në fitoren 4:1 të Arsenalit ndaj Leedsit. Ndeshja i ka takuar xhiros së 29-të të Premier Leagues. Xhaka shënoi në minutën e 84-t për rezultatin përfundimtar.
Arsenali ka shënuar fitore të rëndësishme në garën për titull të Anglisë. Udhëheq në tabelë me 72 pikë, tetë më shumë se Manchester City që është i dyti. City ka një ndeshje më pak të luajtur. Gjithsesi, xhirot po zhvillohen, Arsenali po mban ritmin dhe ngadalë po i afrohet titullit të shumëdëshiruar.
Kontributi i Xhakës natyrisht nuk është i kufizuar vetëm në gola. Por golat po i japin dimension tjetër lojës së tij.
Për kohë të gjatë ai ishte motor i skuadrës në qendër të mesfushës. Ka luajtur edhe mesfushor defensiv kur ka pasur nevojë e po ashtu në krahun e majtë. Tani po luan më përpara në fushë. Xhaka ka luajtur në të gjitha ndeshjet e këtij edicioni në Premier League, ndërsa ka pesë gola e pesë asistime.
30-vjeçari kishte shënuar më 16 mars në ndeshjen ndaj Sportingut në Ligën e Evropës. Më pas shënoi ndaj Crystal Palace në Premier League, më 19 mars. Më 25 mars shënoi për Zvicrën në fitoren 5:0 ndaj Bjellorusisë në Novi Sad të Serbisë. Në atë ndeshje i kishte edhe dy pasime vendimtare. Në fitoren 3:0 të Zvicrës ndaj Izraelit nuk shënoi gol, por kthehet me gol tek Arsenali.
Për Xhakën është goli i parë me goditje me kokë në fanellën e Arsenalit, ka njoftuar gazeta zvicerane “Blick”. Me goditje me kokë së fundi kishte shënuar në shtator të vitit 2015, sa ishte ende pjesën e Borussia Moenchengladbachut.
Për golat e Xhakës ka folur edhe trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.
“Kur e ke në kokë se do të shënosh, atëherë do të shënosh gol. Më pas beson se edhe në ndeshjen tjetër do të shënosh. Ishte përfundim i shkëlqyer i aksionit, vrapim i shkëlqyer dhe kohë e duhur për të vepruar. Jam i lumtur për Granitin. Mesfushori duhet të kontribuojë për ekipin me gola”, ka thënë Arteta.
Të dielën sajti “football.london”, ka shkruar se Xhaka dhe Martin Odegaard kanë zgjedhur problemin e madh që e mundonte Arsenalin në muajt e parë të Artetas si trajner – mungesën e golave nga mesfushorët.