Pas pauzës, Kuvendi i Kosovës ka filluar diskutimin për raportin vjetor të punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), raporton Gazeta “Enigma”.
Me këtë rast, Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala para deputetëve ka paraqitur qëndrimin e këtij komisioni për çështjen e AKP-së.
“Komisioni me shumicë votash vendosi që Kuvendit t’ia paraqes këto rekomandime. Të mos miratohet raporti vjetor i AKP-së për vitin 2020. Të shkarkohet bordi i AKP-së dhe që Qeveria t’i prezantojë Kuvendit bordin e ri të AKP-së Komisioni ndaras me mendimin e kryetarit të komisionit, me shumicë votash vendosi për këto rekomandime”, tha Shala.
Kurse Shefja e GP-së, së VV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se janë duke kërkuar edhe shkarkimin e bordit të kësaj agjencie. “GP i VV-së ka propozuar në Komision që përveç të mos miratimit të raportit vjetor të punës edhe të shkarkohet bordi i AKP-së. Në emër të GP-së mbështesim mos miratimin e raportit, shkarkimin e këtij bordi dhe fillimin e ndryshime që çojnë në mbylljen e këtij agjencioni”, tha ajo.
Kusari-Lila po ashtu e kritikoi deputetin e PDK-së, Ferat Shala dhe administratën e Kuvendit për bashkëngjitjen e opinionit në shkresën me rekomandimet për shkarkimin e bordit të AKP-së./Gazeta Enigma.