Kapet personi që ia vuri flakën lokalit “Ana Flowers” në Prizren

Kapet personi që ia vuri flakën lokalit “Ana Flowers” në Prizren

Disa ditë pas incidentit që ndodhi në një lokal në Prizren, një pjesë e të cilit u bë shkrumb e hi si pasojë e zjarrit, Policia ka arritur të identifikojë personin që dyshohet se ia vuri flakën qëllimisht. Dyqani i luleve ‘Ana Flowers’ u kaplua nga zjarri mesnatën e 30 marsit dhe fillimisht nuk dihej se si u shkaktuar zjarri derisa nisën hetimet.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se si rezultat i hetimit, gjatë ditës së djeshme Policia ka rënë në gjurmët e të dyshuarit, i cili është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, për shkak të veprës me të cilën ngarkohet.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 20-vjeçar, A.K., (emër i njohur për redaksinë) i cili për motive akoma të panjohura, e kishte planifikuar zjarrvënien në këtë lokal, ku për pasojë u shkaktuar dëme prej rreth 5 mijë eurove.

Sebep për identifikimin e tij, të njëjtat burime thonë se u bënë pamjet nga kamerat e sigurisë, që zbuluan se i riu ia kishte vënë me qëllim flakën lokalit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe të dorëzohet kallëzimi penal brenda afatit ligjor.  

Related Articles