Gratë kosovare çdo ditë kërkojnë ndihmën e Policisë, pasi vazhdimisht janë viktima të kërcënimeve, shantazheve e dhunës në familje, ku të dyshuar zakonisht janë bashkëshortët e tyre. Për një rast të tillë që ka ndodhur së fundi në Prishtinë, Prokuroria ka nisur hetimet.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një mërgimtare nga Suedia që ka denoncuar bashkëshortin e saj, për të cilin ka deklaruar se po e kërcënon dhe po e shantazhon.
Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari përpos viktimës, ka kërcënuar edhe familjarët e 40-vjeçares, duke ngjallur kështu tek ata frikë dhe shqetësim.
Si rezultat i denoncimit të rastit, njësitë policore kanë marrë veprimet e nevojshme hetimore dhe gjatë ditës së djeshme kanë arritur që hetuesit policorë ta intervistojnë të dyshuarin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 41-vjeçari të dërgohet në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Kanosje’ dhe ‘Shantazh’.