Ahmet Tahiri avokat i Naser Pajazitajt ka folur në emisionin FRONTAL të T7 pasi Gjykata Supreme e ka liruar klientin e tij nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
Tahiri ka thënë se e kupton familjen e Donjeta Pajazitajt, por thotë se është detyrë e tij që të mbrojë klientin e tij. Sipas Tahirit Gjykata Supreme e ka vërtetuar sot që Naser Pajazitaj është mbajtur në burg për shtatë vjet pa asnjë provë.
“Unë Shkëlqimin e kuptoj se e ka humbur motrën. Mirëpo detyra jonë është ta mbrojmë klientin tonë. Ky vendim i Supremes vërtetoi që Naser Pajazitaj është mbajtur në burg për shtatë vjet pa asnjë provë”, ka thënë ai në Frontal.
Tutje sipas avokatit, raporti nga vendi i ngjarjes dhe kamerat për të cilat flet vëllai i Donjeta Pajazitajt kanë vërtetuar që Donjeta Pajazitaj nuk ka qenë në veturën e Naser Pajazitajt.
Ai thotë se pamjet janë dërguar për ekspertizë në Ankara dhe sipas tij është vërtetuar se s’mund të përshkruhej për aq pak sekonda rruga që tregojnë kamerat. Avokati thotë se për aq sekonda sa tregohet në video, Naser Pajazitaj do të duhej të ishte duke e vozitur makinën 250 kilometra në orë.
“Raporti në vendin e ngjarjes dhe kamerat që referohet Shkelqimi dhe nuk është vërtetu që Donjeta ka qenë në veturën e Naserit. Sipas raportit të ekspertizës, kemi vërtetuar se s’mund të përshkruhej për aq pak sekonda rruga që shfaqet në video. Ekspertiza është dërguar në Ankara.Sipas ekspertizës ai do të duhej të voziste 250 km në orë”, ka thënë avokati në FRONTAL.
Ai tutje ka treguar se në Strellc të ulët kanë qenë edhe pesë vetura të tilla të njëjta sikurse e Naser Pajazitajt dhe shton se në fshatin tjetër Strellc kanë qenë edhe 15 të tilla të njëjta.
Avokati Tahiri thotë se problemi në këtë rast është se Prokuroria është bazuar vetëm në një pistë.
“Vetëm në Strellc të ulët kanë qenë 5 vetura të njëjta. Edhe nja 15 tjera në Strellc. Ky është problemi që prokuroria është nisur vetëm në një pistë”, ka shtuar tutje avokati.
I pyetur për arsyetimin e lirimit, Tahiri ka thënë se ende s’e kanë marrë zyrtarisht por shton se s’ka si të jetë tjetër pëveçlirimit në mungesë të provave.
“Arsyetimin ende s’e kemi marrë, por në mungesë të provës është liruar s’mund të ketë tjetër arsye.
Drejtësia funksionon me fakte dhe jo me hamendësime.
Merrni çfarëdo ekspertë që doni dhe le ta gjejnë vetëm një provë të vetme, s’ka asnjë provë”, ka thënë avokati.
Ai tutje, i pyetur për vendimet e gjykatave paraprake që e kishin shpalluar fajtor Naser Pajazitajn, ka thënë se Naserit i është bërë gjyqi publik dhe drejtësia s’është dashtë të ndikohet.
“Naserit i është bërë gjyqi publik. Drejtësia s’është dashtë me u ndiku. E vetmja Gjykatë që ka qenë korrekte ka qenë Gjykata Supreme, që i ka vlerësu korrekt provat. Nëse një vajzë ka vdekur, a do të thotë kjo që të bëhet kurban një person në mungesë të provave. E gjithë familja e Naser Pajzitajt është linçu, i gjithë fshati i ka linçu. Janë dërgu provat në Ankara, dhe FBI. Të gjitha janë kthyer në favor të Naserit”, ka potencuar avokati.
I pyetur nëse e ka takuar Naserin pas vendimit, avokati ka thënë se ka parë shkurt dhe e ka uruar për lirimin.
“Unë me Naserin nuk kam qenë. Por në bazë të provave dhe dëshmitarëve, rezulton se Naseri nuk e ka kry këtë vepër. Dështimi ka qenë nga ana e Prokurorisë që ka hetuar vetëm një pistë të hetimit. Të paktën ne nuk jemi të informuar nëse ka hetuar. Vetëm e takova shkurt. E urova për lirimin. Më vinte keq se ka qëndruar 7 vite në burg padrejtësisht”, ka përfunduar avokati.