Skica e Asociacionit për Kurtin e Vuçiqin, ringjallet grupi që u emërua para 10 vjetësh

Skica e Asociacionit për Kurtin e Vuçiqin, ringjallet grupi që u emërua para 10 vjetësh

Kryediplomati i BE-së Josep Borrell dje lajmëroi se ka organizuar takimin e radhës Kosovë-Serbi të nivelit të lartë, për të cilin ka mbetur të caktohet vetëm data.  Dy mysafirët e tij, Kurti e Vuçiq, në tavolinë para vetes së tyre do ta kenë një draft-statut të Asociacionit, i cili mund të refuzohet nga pala kosovare në qoftë se ai ka ndonjë element që cenon shtetësinë e Kosovës. Atë do ta prezantojë një grup i dalë nga dakordimi në vitin 2013, që në përbërje ka katër serbë, kryesuesja e të cilit tashmë është deputete e Kuvendit të Serbisë.

Për këtë grup dhe funksionin e tij gjerësisht ka folur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Sipas dakordimit të vitit 2013, është krijuar një ekip menaxhues, i cili pastaj ka pësuar ndryshime të vazhdueshme, por që në vitin 2013 kur është dakorduar themelimi i grupit punues janë dakorduar edhe termat e referencës për punën e këtij grupi punues. Një prej pikave thotë që grupi punues, i cili krijohet nga Ministria e Pushtetit Lokal, përgatit një draft i cili pastaj prezantohet tek takimi i nivelit të lartë. Prej 2013 ka pësuar ndryshime, në fakt ka pasë një kohë kur s’kanë punuar asgjë. Ka shkelje të mëdha të këtij grupi menaxhues, mirëpo janë sekondare. Udhëheqëse e këtij grupi menaxhues është një deputete në Kuvendin e Serbisë, që në fakt nga Kuvendi i Serbisë ajo e bën një draft-statut për Kosovën”, ka thënë ai në një intervistë për Kallxo.

Bislimi tha se Kosova edhe e ka pësuar nga zvarritja që ka bërë ky grup meqë ndërkombëtarët e kanë konsideruar me peshë këtë prezantim.

“Rrjedhimisht, hapi i parë që e nis procesin është prezantimi i draftit. Prezantimi i draftit ka fituar një peshë jashtëzakonisht të madhe edhe para partnerëve ndërkombëtarë, të cilët me këtë element edhe e kanë bllokuar në njëfarë mënyrë ecurinë e Kosovës në disa progrese europiane që mendojmë se është shumë e gabueshme, shumë e padrejtë, por kështu funksionon politika ndërkombëtare”.

Bislimi ka treguar se si ka ndryshuar edhe përbërja e këtij grupi dhe që në periudha të caktuara ka pasë edhe pauzim të punës.

“Unë mendoj që drafti ka qenë i kryer edhe më herët… ne s’e dimë çka ka aty. Në grupin menaxhues janë katër persona serbë. Daniela Vujiçiq është kryesuese, dy prej tyre janë që nga viti 2013 dhe kanë pësuar vazhdimisht ndryshime. Ka pasë brenga prej tyre. Dikush është ndryshuar për arsye se është zhvendosur nga Kosova. Dikush ka brenga që është larguar padrejtësisht, ka kërkuar edhe kompensim në pagë, dikush është fut i ri. Ky grup punues ka pasë mandat të përgatisë një draft dhe mandati i tyre pushon në minutën kur ata e kryejnë prezantimin e draftit. D.m.th mandati i tyre është përpilimi i draftit në bazë të konsultave që i kanë zhvilluar me partnerë të interesit. Ata mund të jenë shoqëri civile, të sektorit të arsimit, të shëndetësisë, nuk çon peshë. Pra, ata janë përfaqësues të nominuar nga komunat serbe”.

Por, Bislimi tha se ky draft rrëzohet në momentin që e shohin se ka elemente që e cenojnë shtetësinë e Kosovës.

Ai radhiti edhe kriteret që mund të çojnë në Zajednicë e për të cilat tha se s’i pranojnë.

“Drafti prezantohet dhe vlerësohet në bazë të këtyre kritereve: A është drafti me elemente të cilat sugjerojnë se kërkojnë ose propozojnë të ndonjë shtrese tjetër të qeverisjes, të cilën ne kemi thënë se nuk e lejojmë. Zajednicë nuk lejojmë; A ka ky draft ndonjë kompetencë që lejon shtresë të re të qeverisjes në Kosovë; A ka ky draft ndonjë element, ndonjë sugjerim, ndonjë kërkesë, ndonjë propozim që nënkupton të drejta kolektive; A ka ky draft që nuk është në harmoni me marrëveshjen e 2013 dhe 2015; A është ky draft me elemente të cilat nuk janë në harmoni me mendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës; A ka ky draft elemente që bien ndesh me letrën që Mogherini i ka dërguar kryeministrit Mustafa në vitin 2015”, ka thënë Bislimi.

Në qoftë se bie ndesh me këto, drafti do të quhet i papranueshëm, u zotua Bislimi.

“Pastaj shohim tutje. Kemi thënë gjithmonë: me Qeverinë Kurti s’ka Zajednicë siç ka qenë dizajnuar në vitin 2013 dhe 2015, pra një institucion me mekanizma ekzekutivë”.

Kryenegociatori tha se s’duhet të dërgohet në Kuvend, sepse ky draft duhet të vlerësohet nëse është i përdorshëm apo jo.

Bislimi tregoi edhe çka ndodh nëse i thuhet jo këtij drafti në takimin e ardhshëm në Bruksel. 

“Nëse ai është i papërdorshëm atëherë ecim me alternativa. Alternativë mund të jetë oferta jonë, mund të jetë një dokument i përbashkët”.

Related Articles