Të enjten Gjykata Supreme e Kosovës e ka liruar Naser Pajazitajn, i cili ishte i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
Por, pas lirimit të Naser Pajazitajt, vëllai i Donjetës, Shkelqim Pajazitaj ka thënë se vendimi për lirimin e të akuzuarit është papranueshëm për familjen e viktimës.
“Lajmin e kemi kuptuar përmes mediave, as nuk kemi pas njoftim nga Gjykata, as nga Porkuoria. Ka qenë shumë lajm i papranueshëm, shumë e rëndë për ne si familje… Nuk e di qysh kanë mund të vijnë në këtë përfundi. Qysh kanë mund me i hedh poshtë ato fakte. Veç dy fakte po t’i vlerësonte si duhet gjykata nuk do të mund të vinte te ky vendim. Po të vlerësoheshin pamjet e kamerave mirë dhe dëshmia e vajzës së tij, kur ka dal kundër tij, atëherë këto dy fakte besoj që do kishin qenë të mjaftueshmë që mos të merrej ky vendim”, u shpreh Shkelqim Pajazitaj, duke thnënë se Naser Pajazitaj kishet deklaruar se në ditën e vrasjes së Donjetës ai ka qenë më bjeshkë më vajzën e tij, por se vajza e tij e ka mohuar se ka qenë në bjeshkë me të.
Më tej, Shkelqim Pajazitaj ka thënë se do të ankohen edhe në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse thotë se nuk kanë shumë shpresa.