Marrja apo mbajtja me forcë me qëllim për të përfituar ose për ta detyruar dikë të veprojë në një formë të caktuar përbën vepër penale dhe sanksionohet me burgim. Raste të tilla të rrëmbimit nuk janë edhe të rralla në vendin tonë dhe shpesh ndodhin për shkak ë borxheve apo mosmarrëveshjeve të ndryshme mes qytetarëve.
Kështu ka ndodhur edhe të hënën, në fshatin Mogillë të Kllokotit, por këtë herë nuk dihet motivi i rrëmbimit të një gruaje 31-vjeçare nga ish i dashuri i saj.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima është marrë me forcë nga i dyshuari M.T., 30-vjeçar, i cili dyshohet ta ketë futur me zor në veturën e tij, pasditen e djeshme dhe më pas janë zhdukur.
Sinjali mëson se posa rasti është denoncuar në Polici, njësitë përkatëse janë vënë në lëvizje për të rënë në gjurmët e të dyshuarit, por akoma s’kanë arritur ta kapin dhe nuk dihet asgjë për rrethanat e rastit.
Teksa Policia po vazhdon kërkimet për të lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet në drejtim të veprës penale “Rrëmbim”.